Ministri Peci e pastron borën te varri i Isa Boletinit: Ideali i Ises sfidohet edhe sot

  • A.P /
  • 23 January 2022 - 17:14
Ministri Peci e pastron borën te varri i Isa Boletinit: Ideali i Ises sfidohet edhe sot

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka vizituar varrin e heroit kombëtar, Isa Boletini, në 106 vjetorin e rënies së tij.

“Në 106 vjetorin e rënies së heroit kombëtar Isa Boletini bashkë me djem e nipa si dhe bashkëluftëtarë, kujtojmë veprën e tij heroike. Si patriot e tribun popullorë, ai ishte njëri nga figurat qendrore të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, bashkë me 400 trima kosovarë nga të gjitha trevat”, ka shkruar ai.

Përmes disa fotografive të publikuara në profilin e tij në Facebook, ministri shihet se gjatë vizitës ka pastruar nga bora varrin e heroi kombëtar.

Postimi i tij:

Në 106 vjetorin e rënies së heroit kombëtar Isa Boletini bashkë me djem e nipa si dhe bashkëluftëtarë, kujtojmë vepren e tij heroike. Si patriot e tribun popullorë, ai ishte njëri nga figurat qendrore të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, bashkë me 400 trima kosovarë nga të gjitha trevat.

Ideali i Ises që të jemi sovran dhe të lirë plotësisht në vatrat tona, sfidohet ende edhe sot.

Por, ai edhe pas 106 viteve qendron në Boletin, të cilin e deshi shumë dhe sot aty qendron si mburoje e shtetit të Kosovës, si ushtari më besnik. Isa Boletini për lirinë e vendit dhe Shqipërinë e mosvarme i dha çështjes kombëtare 11 vëllezër, djem e nipa.

Për të pasqyruar një pjesë të heroizmit dhe ndikimit që kishte tek bashkëluftëtarët Isa Boletini për çështjen shqiptare po shkëpus vetëm një fragment të shkurtër nga libri i nipit të tij Tafil Boletini; Ishte viti 1903, pasi që Isa kishte kundështuar vendosjen e Konsullit Rus në Mitrovicë dhe nga presioni i Perandorise Osmane, Isa qëndron për një periudhë në Stamboll, por ishte besatuar me trimat e Shalës se nuk do ta lejonte vendosjen e tij ne Mitrovicë. Trimat që i kishin dhënë besën Ises se do të kundështonin vendosjen e konsullit rus nuk qëndruan duarkryq. Në kujtimet e Tafil Boletinit mes tjerash thuhet: “Edhe në qoftë se nuk mundeni me më shpëtue mue, martinën e Isës mos ma leni me ma nxanë rob se ma ka lanë amanet” – ishin këto fjalët e Tahir Selacit pas plagosjes në betejën kundër vendosjes së Konsullit Rus në Mitrovicë ku mbetën të vrarë rreth 300 djem të Shalës, besnikë ndaj qëndrimeve të Isa Boletinit. “Në mesin e trimave që i prinë popullit u vranë Shaban Gavazi i Bajgorës, Bejtë Selaci, kushëriri jonë Hajdar Xhema, djalë 22 vjeç, vetë i 5- ti, Ramë Smaka e Sejdi Ibrahimi nga lagja Zhazhë, Zenel Fetahu dhe Man Zeqiri”.

Sot e kujtojmë dhe me përulësi e nderojmë jetën e veprën e Isë Boletinit – Gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, në përvjetorin e 106-të të rënjës së tij. Mësim nga ai marrim qëndresën dhe kontributin e pashoq ndaj çështjes shqiptare. Ai u vra vetëm tre vite e dy muaj nga shpallja e Pavarësisë së Shtetit Shqipëtar dhe dy vite pas Konferencës së Londrës, duke e lënë përgjysëm misionin e tij drejt bashkimit të tokave shqiptare.

Isa iu kthye vendit të tij të lindjes më 10 qershor 2015. Nga ajo ditë ai pushon i qetë në dheun e Mitrovicës së tij, që aq shumë e deshi.

(Kosova Sot Online)