Vodhi një laptop, kuletë dhe para, deklarohet i pafajshëm i akuzuari

  • G.G /
  • 24 January 2022 - 13:08
Vodhi një laptop, kuletë dhe para, deklarohet i pafajshëm i akuzuari

I akuzuari D.D është deklaruar i pafajshëm se në shtëpinë e të dëmtuarit, A.S vodhi një laptop, kuletë dhe para të imta, të gjitha në vlerë prej 760 euro.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati, i akuzuari Dragusha u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si të pastroni enët e gjakut pa dalë nga shtëpia!

“Nuk e ndjej veten fajtor”, tha i akuzuari.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj e njoftoi të njëjtin lidhur me të drejtën e tij për të kundërshtuar provat e për të kërkuar hudhjen e aktakuzës, brenda afatit të caktuar ligjor.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gani Asllani deklaroi se lidhur me mospranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, do të parashtrojnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 dhjetor 2015, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari po akuzohet për vjedhje.

Në aktin akuzues, thuhet se tetor të 2012-ës, në fshatin Prugoc, Komuna e Prishtinës, i akuzuari me qëllim që vetës t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror, duke kaluar murin e të dëmtuarit, përmes derës së hyrjes së shtëpisë, ka hyrë brenda dhe në katin e dytë të shtëpisë në dhomën e fjetjes ka marr një laptop të firmës “Acer” në vlerë prej 700 euro, në dhomën tjetër ka marrë një çantë të femrave brenda së cilës kishte një kuletë me para në vlerë 40 euro dhe në dhomën e fëmijëve në një arkë ka marrë para të imta. Me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 750 euro.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muaj burgim deri në pesë vite. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)