Edward P. Joseph: Bashkimi i Kosovës me Shqipëri është kundër interesave të SHBA’së

  • E.K /
  • 25 January 2022 - 10:41
Edward P. Joseph: Bashkimi i Kosovës me Shqipëri është kundër interesave të SHBA’së

Eksperti dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit  “Johns Hopkins SAIS” në Washington, Edward P. Joseph, në një intervistë ekskluzive për Express ka folur më në detaje për disa prej çështjeve të mbuluara në Raportin e titulluar “Nga kriza në konvergjencë: një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj”.

Joseph thotë se është interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të mbetet unike brenda kufijve aktual dhe jo që të bashkohet me Shqipërinë në ndonjë federatë apo konfederatë të mundshme.

Ai shton se “As “Shqipëria e Madhe”, as “Serbia e Madhe” nuk janë në interesat e ShBA-së; kjo është kundër interesave të ShBA-së”.

Përveç kësaj, Joseph ka folur edhe për punën e njohjes nga Greqia dhe thotë se njerëzit me ndikim në politikën greke presin një marrëveshje në mes të Athinës dhe Prishtinës, ku përjashtohet çfarëdo aventure për ndonjë ndarje apo bashkim të Kosovës.

 Express: Kur folët për sanksione, çfarë saktësisht deshët të thonit? Sepse, për shembull, nëse do të ketë sanksione për Kryeministrin Kurti nga ShBA-ja, ai do të duhej të jepte dorëheqje dhe kjo, me gjasë, do të shkaktonte një ngërç tjetër në procesin e dialogut.

Edward P. Joseph: Sanksionet e propozuara në raport janë të lidhura – qëllimisht dhe qartazi – me një zotim më të gjerë nga ShBA-ja për të arritur njohje të plotë ndërkombëtare për Republikën e Kosovës – jo për Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë ose të ngjashme. Pse duhet që ShBA-ja të caktojë një emisar të posaçëm për njohjen e Kosovës, mes hapave të tjerë në këtë drejtim, nëse Kosova është duke punuar që ta minojë konceptin për Kosovën, të cilin  ShBA-ja dhe aleatët e saj e kanë për vendin?

Çështja është që njohja e Kosovës e nënkupton Kosovën si vend unik dhe funksional brenda kufijve të vet të tanishëm – jo në federatë ose konfederatë me Shqipërinë. As “Shqipëria e Madhe”, as “Serbia e Madhe” nuk janë në interesat e ShBA-së; kjo është kundër interesave të ShBA-së.

Kjo nuk është as në interesin e Kosovës. Për shembull, njohja nga Greqia do të mund të ishte transformuese për Kosovën dhe rajonin. Por është e qartë se Athina – si Uashingtoni – nuk sheh stabilitet që del nga ndonjë “bashkim” ose ndarje e Kosovës. Siç citojmë ne në raportin tonë në “Johns Hopkins SAIS-Ëilson Center”, komentuesit grekë me ndikim presin një traktat mes Prishtinës dhe Athinës, që i përjashton aventurat e tilla.

Kërcënimi me sanksione është i rëndësishëm për të gjitha palët:

Për Prishtinën, që t’i kuptojë parimin dhe vizionin për Kosovën, të cilat e tërheqin përkrahjen e ShBA-së dhe të aleatëve.

Për Athinën dhe vendet e tjera, që nuk e njohin Kosovën, që të kuptojnë se zotimi i ShBA-së ka të bëjë me përkrahjen e sovranitetit të Kosovës – jo me përkrahjen e ëndrrave për bashkimin e popullit shqiptar.

Për Serbinë dhe për përkrahësit e saj në Rusi, Kinë dhe gjetiu, që të shohin se ShBA-ja ka një qasje strategjike, të mbështetur në bashkekzistencën demokratike dhe multietnike – pa i favorizuar ambiciet kombëtare shqiptare para ambicieve kombëtare serbe.

(Kosova Sot Online)