Veterani i UÇK-së nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë

  • G.G /
  • 25 January 2022 - 10:51
Veterani i UÇK-së nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sejdi Veseli është dëshmitari i radhës në gjykimin që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës për krime lufte pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të martën, ky dëshmitar e ka filluar dëshminë e tij në gjykatore.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 

(Kosova Sot Online)