Paralajmëron Ukraina: S’pranojmë koncesione ndaj Rusisë pas shpinës sonë

  • A.P /
  • 25 January 2022 - 16:00
Paralajmëron Ukraina: S’pranojmë koncesione ndaj Rusisë pas shpinës sonë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në një intervistë për televizionin CNN, tha të martën se vendi i tij nuk do t’i lejojë askujt që të vendosë koncesione ndaj Ukrainës.

Kuleba theksoi se Ukraina nuk do të pranojë asnjë kompromis që e ka për qëllim qetësimin e Putinit, në kohën  e frikës se Rusia është duke planifikuar që ta pushtojë Ukrainën.

“Nëse ndokush bën një koncesion, prapa shpinës së Ukrainës, së pari ne nuk do ta pranojmë atë. Ne nuk do të jemi në pozicionin e vendit që e hap telefonin, e dëgjon udhëzimin e fuqisë së madhe dhe e ndjek atë”, tha kryediplomati ukrainas.

“Kemi paguar shumë – përfshirë 15.000 jetë të qytetarëve tanë – për ta siguruar të drejtën për ta vendosur të ardhmen tonë, fatin tonë”, shtoi ai.

Kuleba gjithashtu tha se nuk ka dyshim rreth përkushtimit të ShBA-së për ta mbrojtur Ukrainën, pavarësisht komenteve të Presidentit Joe Biden, që sugjeronin se një “sulm i vogël” nga trupat ruse mund të mos çojë në reagim të ashpër nga NATO-ja.

“E para, Presidenti Biden është personalisht i përkushtuar ndaj Ukrainës. Ai e njeh këtë vend dhe nuk do që Rusia ta shkatërrojë atë. E dyta, dëgjuam nga ata zyrtarë amerikanë, duke folur haptazi për medie, por gjithashtu duke folur me mua dhe me zyrtarë të tjerë ukrainas drejtpërdrejt në telefon, se Shtetet e Bashkuara do të mbeten absolutisht të përkushtuara për ta çarë Rusinë, nëse ndodh ndonjë lloj sulmi, pushtimi ose ndërhyrjeje”, shtoi ministri ukrainas.

(Kosova Sot Online)