Kush i ka meritat për progresin në luftën kundër korrupsionit, çfarë shkruajnë Kurti e Hoti?

  • A.P /
  • 25 January 2022 - 16:07
Kush i ka meritat për progresin në luftën kundër korrupsionit, çfarë shkruajnë Kurti e Hoti?

Kryeministri Albin Kurti vlerëson se Qeveria e udhëhequr prej tij po i jep sinjalet e para, pasi Kosova shënoi progres në indeksin e antikorrupsionit që u publikua nga organizata “Transparency International”. Por, trendin për të mirë, ish-kryeministri Avdullah Hoti thotë se e kanë shënuar dy qeveritë e udhëhequra nga LDK-ja.

Kosova është ngritur për 17 vende në indeksin e antikorrupsionit dhe këtë Kurti e sheh si sukses të Qeverisë aktuale. Sipas tij, organizatat kredibile po i vlerësojnë pozitivisht veprimet e Qeverisë kundër korrupsionit.

“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar kryeministri.

Duke publikuar një grafik me nivelin e korrupsionit gjatë viteve 2020 – 2021, ish-kryeministri Avdullah Hoti lavdëron dy qeveritë e LDK-së gjatë kësaj periudhe.

“Dy qeveritë e udhëhequra nga LDK e kanë ndryshuar trendin për të mirë në çdo fushë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)