Pavarësisht paralajmërimeve për Ukrainën, Rusia provokon sërish

  • A.P /
  • 25 January 2022 - 23:05
Pavarësisht paralajmërimeve për Ukrainën, Rusia provokon sërish

Përballë paralajmërimeve të aleatëve ndërkombëtarë me një mori sanksionesh në rast të një sulmi rus mbi Ukrainën, Moska zgjedh të provokojë sërish. Distrikti Ushtarak Perëndimor i vendit ka publikuar këtë të martë pamje të stërvitjes së trupave të vendosur në kufijtë me Ukrainën.

Pamjet tregojnë një flotë të atyre që duket se do të jenë lëshuesit e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi. Disa prej tyre praktikojnë gjuajtjen me pushkë dhe në kufijtë duket edhe prania masive e mjeteve ushtarake.

Teksa tensioni në rritje mbi një agresion rus në Ukrainën vijon të shqetësojë mbarë botën, mediat ndërkombëtare kanë bërë përballje të fuqisë ushtarake të të dyja vendeve.

Rusia ka 3 milionë e 14 mijë trupa ushtarak, ku prej tyre aktiv janë 1 milion e 14 mijë, ndërsa 2 milionë të tjerë janë rezervë. Ndërsa Ukraina ka 1,155.000 trupa ushtarak, ku prej tyre 255 mije janë aktiv dhe 900 mijë rezervë.

Por krahas forcave ushtarake, Rusia ka një supermaci edhe në mjetet ushtarake, kryesisht në avionë, helikopterë e artileri të rëndë. Më konkretisht Rusia zotëron 1531 avionë sulmues ndërsa Ukraina vetëm 67 të tillë.

Për sa i përket helikopterëve luftarak Rusia zotëron 538 ndërsa Ukraina vetëm 34. Ushtria Ruse ka 13 mijë tanke ushtarak nga 2420 të tillë që ka Ukraina.

Makinat ushtarake të blinduara që zotëron Rusia janë 27.100 ndërsa Ukraina ka 11.435 të tilla. Rusia zotëron 214 anije të vogla luftarake ndërsa Ukraina vetëm 13 të tilla.

Për sa i përket Artilerisë së armëve të rënda Rusia zotëron 4465 prej tyre ndërsa Ukraina vetëm 2040 te tilla. Pra në letër forca ruse është dukshëm më superiore, ndaj dhe NATO ka vendosur që ti vijë në ndihmë Ukrainës, duke furnizuar me armatime.


(Kosova Sot Online)