Kurti: Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit

  • E.K /
  • 26 January 2022 - 11:06
Kurti: Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar sot lidhur me ngritjen e Kosovës për 17 vende në ë Indeksin e Percepsionit të Korrupsionit që publikohet çdo vjet nga organizata Transparancy International.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës tha se kjo i inkurajon që të punojnë edhe më tutje në luftën kundër korrupsionit.

“Në fushën e luftimit të kundër krimeve ekonomike, korrupsionit dhe pasurisë janë regjistruar 339 raste, janë arrestuar 260 të dyshuar dhe janë ngritur 300 kallëzime penale ndaj 736 personave të dyshuar. Vlerësimi pozitiv nga ‘Transparency International’ na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit. Jemi të vetëdijshëm se kjo është një rrugë e vështirë, e gjatë dhe se duhet shumë punë”, ka thënë Kurti.

Më tutje kryeministri deklaroi se ka qenë zotimi i Qeverisë lufta e pakompromis ndaj dukurive të këqija shoqërore.

Kurti tha se populli nuk i do të korruptuarit dhe se qeveria do t’i shërbejë popullit.

“Ne nuk do të ndalemi asnjëherë sepse ishte zotimi ynë për luftë të pakompromis ndaj të keqes shoqërore që mori besim historik të qytetarit dhe solli ndryshimin e madh. Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit. Me beteja të vogla por të vazhdueshme do të triumfojmë në vendosjen e drejtësisë, rendit dhe ligjit, saherë dhe kudo që ato mungojnë. Qe Kosova sa më shpejtë të renditet në radhitjen globale të shteteve të sigurta, transparente dhe pa korrupsion”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)