Qeveria ka një lajm lidhur me shtesat e punonjësve shëndetësor

  • E.K /
  • 26 January 2022 - 11:12
Qeveria ka një lajm lidhur me shtesat e punonjësve shëndetësor

Qeveria e Kosovës ka aprovuar sot propozim-vendimin për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik.

Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, se këto shtesa do të jepen për periudhën janar-qershor 2022 dhe se është vendim në kuadër të mbështetjes së tyre në kuadër të masës 4.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Shqyrtimi i propozim vendimit për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik, profesionistët shëndetësor stafi mbështetës për periudhën janar-qershor 2022 në zbatim të masës 4.1 në Pakon e Ringjalljes Ekonomike”, tha Kurti.

Në ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se këto mjete do të jepen për këta muaj, me mundësi vazhdimi deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

“Ky vendim bën vazhdimin e shtesës që kemi miratuar në vitin e kaluar në raport me personelin shëndetësor dhe në kuadër të mbështetjes për menaxhimin e  pandemisë. Kësaj radhe duhet të vazhdohet sepse ka ndërruar vit i kaluar fiskal dhe tani jemi në një vit fiskal të ri. Ky propozim-vendim parasheh ndarjen e mjeteve për të mbuluar periudhën e parë gjashtë mujore dhe shtesa do të aplikohet deri në këtë periudhë ose deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave”, tha Murati. 

(Kosova Sot Online)