Ku i merr Qeveria 75 milionë eurot që do t’i japë për rrymë? Murati: S’do të kemi problem

  • E.K /
  • 26 janar 2022 - 11:48
Ku i merr Qeveria 75 milionë eurot që do t’i japë për rrymë? Murati: S’do të kemi problem

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Qeveria nuk do ta ketë problem t’i ndajë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike, të parapara në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës.

Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se janë përkujdesur që të ketë buxhet të mjaftueshëm për situata të jashtëzakonshme si kjo me krizën energjetike.

“Ne si Qeveri jemi përkujdesur që gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022 jemi përkujdesur që t’i kemi hapësirat e nevojshme, pra fleksibilitetin e nevojshëm marrë parasysh pandeminë. Çdoherë kemi paraparë që mund të ndodhë një situatë e jashtëzakonshme”, tha ai.

“Sa i përket ndarjeve buxhetore, nuk besoj që do të kemi problem, megjithëse kjo normalisht që është një barrë shtesë edhe për buxhetin”, shtoi Murati.

Ai u pyet edhe për mosshtrenjtimin e rrymës për katër komunat në veri të vendit, ku edhe ashtu, nuk paguhet për energji elektrike.

“Ne jemi duke punuar që probleme të tilla të cilat i kemi trashëgu dhe nuk kanë gjetur zgjidhje për 20 vitet e kaluara, do të mundohemi t’i zgjidhim në afatin sa më të shkurtër”, tha Murati.

(Kosova Sot Online)