“Dyshohet se thithi tymin e ngrohëses elektrike”, Policia jep detaje për vdekjen e punëtorit

  • A.P /
  • 28 janar 2022 - 22:42
“Dyshohet se thithi tymin e ngrohëses elektrike”, Policia jep detaje për vdekjen e punëtorit

Një punëtor 55-vjeçar i KEK-ut në fshatin Zabel i Ulët i komunës së Drenasit ka vdekur sot.

Sipas Policisë, dyshohet se ai ka thithur tymin e shkaktuar nga një ngrohëse elektrike.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

“Rreth orës 14:00 është raportuar për një rast të vdekjes së dyshimtë, të ndodhur në fshatin Zabel i Ulët të komunës së Drenasit. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit”.

“Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, 55-vjeçar. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se viktima ka humbur jetën si rezultat i thithjes së tymit të shkaktuar nga një ngrohëse elektrike”, u shpreh ai.

Tutje, ai bëri të ditur se policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

(Kosova Sot Online)