Virologu i njohur gjerman flet për fundin e pandemisë, tregon se kur mund të ndodhë

  • E.K /
  • 29 January 2022 - 09:34
Virologu i njohur gjerman flet për fundin e pandemisë, tregon se kur mund të ndodhë

Përhapja e variantit Omicron në fund të nëntorit, çoi në një valë masive infeksionesh në të gjithë botën, e cila solli rikthimin e rasteve të reja në shifra mjaft të larta.

Christian Drosten, një virolog i famshëm gjerman, ka parashikuar se si do të jetë evolucioni i Omicronit në javët e ardhshme dhe e ardhmja e pandemisë.

Virologu thekson fillimisht rëndësinë e fushatës së vaksinimit: “Virusi transmetohet pa kontroll përmes popullatës së pavaksinuar. Personat që nuk janë vaksinuar nuk do të kishin asnjë mbrojtje imunologjike për variantet e mëvonshme, ndryshe nga një person i vaksinuar plotësisht”.

Po kështu, ai thekson se “ka mundësi që Omicron të bëhet më i lehtë ose më i rëndë”, pasi është e nevojshme të bëhet dallimi midis virusit, i cili mund të evoluojë me forcë më të madhe për shkak të rikombinimit me një variant tjetër dhe sëmundjes, që do të bëhet më e lehtë. Për momentin, sipas Drosten, ka një mundësi që në të ardhmen “të shfaqet një virus me proteinën e Omicron dhe me gjenomën e virusit Delta”. Sipas virologut gjerman, duhet të kemi frikë nëse ndodh diçka e tillë.

Në lidhje me fundin e pandemisë, Drosten shprehet se “mund të jetë afër”, pasi faktori i vaksinimit masiv është shumë i rëndësishëm, megjithëse parashikon se do të jetë shumë e vështirë për shkak të pabarazisë në shpërndarjen e barnave dhe refuzimit të vaksinimit.

“Nuk mendoj se dimrin e ardhshëm mund të jetojmë plotësisht siç kemi jetuar në dimrin e vitit 2019, do të vazhdojmë të marrim masa, si përdorimi i maskave. Nëse të gjithë njerëzit vaksinohen me dozën e tretë, të përshtatur me variantet e reja, fundi i pandemisë mund të jetë relativisht shpejt”, thotë virologu gjerman.

(Kosova Sot Online)