Kurti s’e komenton protestën, thotë se s’është e mundur të mos ketë as shtrenjtim e as shkyçje

  • E.K /
  • 31 January 2022 - 10:45
Kurti s’e komenton protestën, thotë se s’është e mundur të mos ketë as shtrenjtim e as shkyçje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, që u mbajt të shtunën në Prishtinë. Kurti s’e ka komentuar protestën, por ka deklaruar se nuk është e mundur të mos ketë as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje të energjisë elektrike.

Kurti deklaroi se Kosova gjendet në krizë energjetikë për shkak të shtrenjtimit të energjisë në bursën ndërkombëtare energjetike.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit tha se faktor tjetër është edhe zhvatja që sipas tij është bërë për dy dekada në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë krizë energjetike, kur jo vetëm zgjidhje ideale, por as zgjidhje optimale nuk ka. Po e ritheksoj se nuk është e mundur që të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje. Por duhet që të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë në të cilën nuk jemi me fajin tonë. Sepse në njërën anë, çmimet e energjisë janë shtrenjtuar shumë në bursën ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm, dhe mosinvestim në kapacitete të reja, e mirëmbajtje e atyre ekzistuese që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se raporti i ZRRE-së nuk është as diçka finale e as fatale, derisa deklaroi se pas komenteve që do të ërgohen në ZRRE- deri në orën 16:00, pret të ketë vendim meritor.

“Unë e ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është diçka as finale, as fatale, por është një raport i cili pret komentet, dhe shpresoj që pas atyre komenteve që duhet të dorëzohen para orës 16:00 sot, dhe të kemi në vendim meritor”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, sot përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin për konsumatorë.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kËh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kËh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kËh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000këh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.

(Kosova Sot Online)