Pak para vendimit për shtrenjtim të rrymës: Kush do të çojë sot komente në ZRRE

  • G.G /
  • 31 January 2022 - 13:26
Pak para vendimit për shtrenjtim të rrymës: Kush do të çojë sot komente në ZRRE

Sot në orën 16:00 përfundon afati për të dhënë komente rreth raportit konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin për konsumatorë. Qeveria nuk ka treguar a i ka dërguar komentet. Partitë opozitare nuk kanë qëndrime të njëjta për këtë çështje.

Kur kanë mbetur më pak se tri orë deri në përfundim të afatit për dhënien e komenteve rreth propozimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, ende nuk i kanë dorëzuar komentet e tyre, e PDK nuk do t’i dorëzojë fare.  

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar për Express se partia e saj do t’i dërgojë sot gjatë ditës komentet në ZRRE rreth propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike.

“Sot i dërgojmë. Gjatë ditës mbajmë konferencë për medie për këtë çështje”, ka deklaruar Bajrami.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i dërgojë sot komentet e veta në ZRRE. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i partisë, Lulëzim Blaka.

“Po do t’i dërgojmë gjatë ditës. Sapo t’i dërgojmë do t’i bëjmë publike komentet”, ka deklaruar Blaka.

Për dallim prej LDK-së dhe AAK-së, Partia Demokratike e Kosovës nuk do t’i dërgojë komentet në ZRRE, rreth propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka deklaruar për Express se partia e tij nuk mund të çojë komente për një raport të paligjshëm, siç e quan ai, kombinim të Qeverisë dhe ZRRE’së.

“PDK dhe Grupi Parlamentar kanë pasur qëndrim konsistent. Kemi kërkuar kthimin e raportit në pikën zero. Dhe si rezultat i kësaj, ne nuk mund të çojmë komente për një raport të paligjshëm që është kombinim i Qeverisë dhe ZRRE’së. Kërkesa jonë është që raporti te kthehet dhe të bëhet debat mbi bazën e arsyes, ndikimin e pandemisë, inflacionit dhe krizës energjetike. Pra ne presim që Qeveria dhe ZRRE-ja ashtu siç e kanë bërë, bashkërisht ta hedhin poshtë këtë raport të paligjshëm. Jemi në pritje që Qeveria të reflektojë”, ka deklaruar Shala.

Nga Qeveria e Kosovës të premten kanë deklaruar për Express se janë duke i finalizuar komentet për t’i dërguar në ZRRE.

Kreu i ekzekutivit sot në një prononcim para mediave e ka komentuar gjendjen me krizën energjetike, por nuk ka treguar nëse Qeveria tashmë i ka dërguar komentet në ZRRE apo jo.

“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë krizë energjetike, kur jo vetëm zgjidhje ideale, por as zgjidhje optimale nuk ka. Po e ritheksoj se nuk është e mundur që të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje. Por duhet që të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë në të cilën nuk jemi me fajin tonë. Sepse në njërën anë, çmimet e energjisë janë shtrenjtuar shumë në bursën ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm, dhe mosinvestim në kapacitete të reja, e mirëmbajtje e atyre ekzistuese që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se raporti i ZRRE-së nuk është as diçka finale e as fatale, derisa deklaroi se pas komenteve që do të ërgohen në ZRRE- deri në orën 16:00, pret të ketë vendim meritor.

“Unë e ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është diçka as finale, as fatale, por është një raport i cili pret komentet, dhe shpresoj që pas atyre komenteve që duhet të dorëzohen para orës 16:00 sot, dhe të kemi në vendim meritor”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, të premten nga ZRRE-ja kanë bërë të ditur se janë pranuar komente ngaSekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, ku pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kËh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kËh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kËh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000këh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.

(Kosova Sot Online)