Shtrenjtimi i rrymës, LDK paralajmëron dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese

  • E.K /
  • 31 January 2022 - 14:42
Shtrenjtimi i rrymës, LDK paralajmëron dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, me anë të një konference për media ka treguar përmbajtjen e komenteve, të cilat partia e saj i ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Bajrami ka thënë se shpërndarja e subvencioneve të qeverisë duhet bërë për të gjithë qytetarët pa dallim, e jo vetëm për ekonomitë familjare që shpenzojnë deri në 600 KW.

“Kemi pa se Qeveria e Republikës së Kosovës ka zotuar 75 milionë euro, me të cilët ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri në 600 KW dhe sektorin e biznesit, konsiederojmë se shpërndarja e subvencionimit duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ndarja e 600 KW as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës, e as nuk është kurfarë kriteri që do të kontribojnë në përmirësimin e jetës së qyetarëve”, u shpreh Bajrami në konferencë.

“Kemi propozuar që Qeveria ta ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike në zero”, u shpreh ajo ndër të tjera.

“Ne konsiderojmë që ngritja e tarifave do e rëndonte jetën e qytetarvëve tanë, andaj kemi propozuar që komplet në vitin 2022 të mos ketë ngritje të tarifave”, tha Bajrami ndër të tjera.

Ajo tha se “jemi zotuar që nese propozimet e tilla kalojnë, Lidhja demokratike e Kosovës do e sfidojë një vendim të tillë edhe në Gjykatën Kushtetuese”.

(Kosova Sot Online)