Lajçak: Nuk duam “Republikë serbe” në Kosovë

  • G.G /
  • 02 February 2022 - 10:01
Lajçak: Nuk duam “Republikë serbe” në Kosovë

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në një konferencë për media duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se Kosova nuk duhet të frikësohet nga dialogu pasi është palë e barabartë në raport me Serbinë.

“Nuk ka asnjë arsye që të frikësoheni nga një proces ku edhe ju merrni pjesë”, ka thënë ai.

“Kosova është palë e barabartë në dialog, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshjen e Kosovës. Askush nuk dëshiron një republikë serbe, ato çfarë janë dakorduar duhet të zbatohet, asociacioni është një prej tyre”, tha ai.

Tutje Lajçak ka bërë të qartë se marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.

“Të gjitha marrëveshjet që kanë ndodhur paraprakisht duhet të zbatohen”, ka thënë Lajçak.

Lajçak dhe Escobar kanë ardhur të hënën në Kosovë, dhe kanë takuar Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin.

Lajçak dhe Escobar kanë takuar  edhe krerët e partive opozitare në vend, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe përfaqësues të Listës Serbe.

(Kosova Sot Online)