Kush duhet të frikësohet nga Ligji për verifikimin e pasurisë? Përplasen deputetët e pozitës

  • E.K /
  • 02 February 2022 - 11:52
Kush duhet të frikësohet nga Ligji për verifikimin e pasurisë? Përplasen deputetët e pozitës

Deputetja e Listës Guxo, Daorsa Kica-Xhelili ka thënë se nuk është e të njëjtit mendim me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha lidhur me deklaratën se personat që kanë punuar kundërligjshëm duhet të frikësohen nga zbatimi i Ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Kica-Xhelili tha se  të gjithë qytetarët mund t’i frikësohen këtij ligji për shkak të mungesës së informacioneve e jo veç pse kanë kryer krime.

“Mendoj që në parim krejt po e dimë se çka është synimi kryesor i këtij projektligji. Po dojmë me i ndjek të gjithë ata që kanë fituar në mënyrë të kundërligjshme,. Edhe hezitimet tona këtu janë të ligjshme. Nuk pajtohem me kolegun tim se nga ky Ligj duhet të frikësohen veç ata që kanë bërë krime sepse krejt qytetarët e thjeshtë laikë-juridikë të cilët i frikësohen zbatueshmerisë jo sepse kanë kryer krime por nuk e dinë, nuk e kuptojnë aplikueshmerinë e këtij ligji dhe këto sqarime janë diçka të nevojshme”, tha ajo në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion.

Ajo tha se frika nuk është diçka negative.

“Mos e merrni frikën si diçka negative. Përkundrazi mendoj që frika është mënyra e vetme sesi evitohen problemet në zbatueshmerinë e ligjit. Një pjesë të madhe të brengave të mija i adresuat dhe po ndihem mirë”, tha ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se personat që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duhet që të frikësohen nga Ligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Ai tha se njerëzit e ndershëm nuk kanë arsye që të frikësohen.

“Kush don me u frikësu veç ata që kanë vjedh. Njerëzit e ndershëm nuk kanë nevojë me u firkësua e as nuk e paraqesin këtë frikë. Frika për rrëzimin në Kushtetuese ose që mundet me pas probleme ligjore aty janë të arsyeshme. Frika që mundet me pas probleme ligjore munden me qenë të arsyeshme. Por frika e atyre njerëzve që i frikësohen këtij projektligji janë ata që kanë keqpërdorur me detyrën zyrtare e që mendoj se e kanë detyrë me i kthy paret atje ku i kanë marrë”, tha Basha në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion. 

(Kosova Sot Online)