Serwer: Dialogu ka ngecur në politikat e brendshme, s’ka marrëveshje as këtë vit

  • E.K /
  • 02 February 2022 - 13:14
Serwer: Dialogu ka ngecur në politikat e brendshme, s’ka marrëveshje as këtë vit

Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, që është profesor në Universitetin John Hopkins, po e sheh si të paarritshme një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit. Në një përgjigje për KOHËN, ai ka thënë se nuk sheh ndonjë shenjë nga lidershipi i ndonjërit prej të dyja vendeve se po përgatitet për marrëveshje përfundimtare.

Dialogu, sipas tij, ka ngecur në politikat e brendshme të të dyja vendeve.

“As presidenti Vuçiq e as kryeministri Kurti nuk shohin përfitim nga marrëveshjet, veçanërisht nga marrëveshja gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova është nën presion për marrëveshje, porse të njëjtin fat, sipas tij, do ta ketë edhe Serbia. Porse presonin thotë se nuk e sheh si çelës për të pasur sukses. “Përfitimi i ndërsjellë nga marrëveshja mes të dyja vendeve është çelësi”, ka vlerësuar ai.

Serwer ka thënë se është mirë që çështja e të pagjeturve të zgjidhet menjëherë. Madje, ai e sheh të pakuptueshme se si kjo çështje nuk është zgjidhur ende.

“Nuk e kuptoj pse nuk është zgjidhur çështja e personave të zhdukur. Është procedurë standarde për të zgjidhur çështje të tilla pas luftës. Është më mirë të bëhet menjëherë. Njëzet vjet nuk janë pak”, është shprehur ai.

E për Asociacionin e komunave serbe, ai ka deklaruar se nëse Serbia do të ishte e përgatitur për ta njohur Kosovën dhe për të mbrojtur anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe, sipas tij, një asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës nuk do të dukej aq shqetësues sa është sot.

Analisti amerikan për Ballkanin e ka komentuar edhe vizitën e përfaqësuesit special të SHBA-së, Gabriel Escobar, dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak në Kosovë. Ai ka thënë se të dyja këto fuqi duhet të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Mendoj se rruga përpara tani është ajo që funksionoi në të kaluarën: fokusimi në çështjet që sjellin përfitime reale për qytetarët në të dy vendet. Kjo ka funksionuar para vitit 2013. Gjithashtu mendoj se ka nevojë të madhe për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara. BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta bëjnë këtë së bashku”, ka thënë ai.

Escobari e Lajçaku po qëndrojnë në Kosovë që nga e hëna. Gjatë vizitës ata janë takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me liderët e partive politike. Kurti pas takimit me ta ka thënë se janë të vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelin të pacenura nga çfarëdo përpjekjeje. E një gjë të tillë, Escobar ka thënë se SHBA-ja e mbështet plotësisht. Në anën tjetër, Lajçak ka kërkuar që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet. E nga Asociacioni ai ka thënë se nuk duhet pasur frikë, pasi një gjë e tillë, sipas tij, nuk do të thotë krijim i Republikës Sërpska. Lajçaku ka thënë se Kosova ka bërë shumë zotime në 12 vjetët e dialogut, ku ka zbatuar shumë prej tyre, por jo Asociacionin. Ai shtoi se duhet të ndryshohet narrativi, dhe jo të thuhet çfarë nuk duam, por çfarë duam nga ky proces.

E një qasje kritike ndaj Kosovës për dialogun e ka pasur pak ditë më herët shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Ai ka thënë se Kosova po dëshmon më pak gatishmëri për t’u ulur në tryezë.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj, unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, qe shprehur Borrell.

Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës mes delegacioneve Kosovë-Serbi.

(Kosova Sot Online)