Në komentet për çmimin e rrymës, ministrja kërkon të rivlerësohen çmimet e importit dhe fitimi i KEDS

  • G.G /
  • 02 February 2022 - 13:53
Në komentet për çmimin e rrymës, ministrja kërkon të rivlerësohen çmimet e importit dhe fitimi i KEDS

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të sigurojë që gjatë shqyrtimit tarifor të shmangë ndërsubvencioniomin dhe diskriminimin në mes të kategorive të konsumatorëve.

Në raportin me komente dërguar në ZRrE, nga Ministria e Ekonomisë po thonë se ZRrE e ka në mandatin e saj mbrojtjen e konsumatorit.

“ME ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), që si autoritet i pavarur që në mandatin e tij ka mbrojtjen e konsumatorit, të sigurohet që gjatë shqyrtimit tarifor të shmangë ndërsubvencionimin dhe diskriminimin në mes të kategorive të konsumatorëve”, ka shkruar Rizvanolli në një postim në “Facebook”.

Më tutje ajo tha se kanë propozuar poashtu që ZRRE të bëjë një ri-vlerësim të elementeve të përllogaritjeve të të hyrave të lejuara, si çmimet e importit dhe marzha e fitimit të furnizuesit ora KEDS-it.

“Ndër të tjera, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që ZRrE të bëjë ri-vlerësim të elementeve të përllogaritjeve të të hyrave të lejuara, si çmimet e importit dhe marzha e fitimit të furnizuesit, poashtu rishikim të hapësirës për t’i reduktuar ato në mënyrë që kjo të reflektohet në ulje të tarifave për konsumatorët”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

Ministria e Ekonomisë  është duke kërkuar zgjerimin e brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh, në 800 kWh. Kjo është bërë e ditur në raportin me komente që ME ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Propozim tjetër i Ministrisë së Ekonomisë është shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.

Më 17 janar ZRrE ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Propozimi i ZRRE-së: Tarifat e energjisë elektrike bazuar në subvencionin e premtuar të Qeverisë. Çmimi i rrymës rritet për ata që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

(Kosova Sot Online)