Kërkohet ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit për vrasjen e kolegut të tij në vendin e punës

  • G.G /
  • 03 February 2022 - 13:50
Kërkohet ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit për vrasjen e kolegut të tij në vendin e punës

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka vendosur të bëhet ekzaminim psikiatrik për A.S, i akuzuar për vrasjen e kolegut të tij në vendin e punës.

Në këtë rast, për shtytje në vrasjen e të ndjerit A.S, po akuzohet edhe B.S, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e ekzaminimit psikiatrik e ka bërë mbrojtësja e tij, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, cila ka thënë se ndaj të mbrojturit të saj është e nevojshme të behët një ekzaminim psikiatrik për të përcaktuar aftësinë apo paaftësinë e tij mendore në kohen e kryerjes së veprës penale.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes që ndaj të akuzuarit të bëhet ekzaminim psikiatrik, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka thënë se me parashtresë nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e rastit Fitore Sadikaj.

Pas kësaj, gjykatësi Foniqi me aktvendim ka vendosur që ndaj të akuzuarit të bëhet ekzaminim psikiatrik për të përcaktuar aftësinë e apo paaftësinë mendore të tij në kohën e kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti mjekoligjor Naim Haliti, mirëpo publikimi i deklaratave të dëshmitarëve dhe ekspertëve është ndaluar me aktvendim nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Foniqi.

Ndërsa, në këtë seancë kanë munguar dëshmitarët F.Xh dhe B.T,  ku ndaj këtij të fundit gjykatësi Foniqi ka lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 10 mars 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.S po akuzohet se me 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit A.S, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit A. dhe B.S kanë shkuar në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vend punishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit , A.S me dashje që ta privoj nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit , duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A. S. është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin A.S se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nën paragrafi 1.5 te KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin B.S se me datë kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin A.S – vëllain e tij, që ta kryej veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me te pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marr armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri A e ka thirr në emër A., e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’, më pas A. e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin B.S se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)