I moshuari i akuzoi se e nxorën jashtë, ky është versioni i Spitalit të Prizreni

  • E.K /
  • 03 February 2022 - 14:54
I moshuari i akuzoi se e nxorën jashtë, ky është versioni i Spitalit të Prizreni

Urologu në Spitalin e Prizrenit, Agim Hazrolli, e ka mohuar të ketë nxjerrë jashtë spitalit të moshuarin, i cili u ankua dje se përkundër gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore, nuk mori shërbim në Spitalin e Prizrenit. Hazrolli është shprehur se pacientit i janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe në fund është udhëzuar për trajtim në QKUK.

Një qytetarë nga komuna e Prizrenit është ankuar dje se është nxjerrë jashtë nga Spitali Rajonal i Prizrenit, përkundër që gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë e mirë.

Ai është shprehur se ishte drejtuar në këtë spital për të marrë shërbim shëndetësor për shkak se ka pasur probleme me bruhin.

Ndërsa, ka deklaruar se urologu Agim Hazrolli e ka nxjerrë nga spitali dhe se i ka kërkuar që të shkojë në Prishtinë.

“I sëmurë jam. Kam qenë në spital, Agim Hazolli më ka qit prej spitalit, nuk më pranoi, katunar e kam. I ajtë jam. Unë nuk e di çka i thonë këtu me e qit njërin e smutë, njërin e sëmurë me qitë”, ka deklaruar ai për ATV.

Mirëpo, drejtori i spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj e ka mohuar të kenë lëshuar ndonjë pacient pa i dhënë trajtim mjekësor.

Ai ka thënë se rasti është shqyrtuar nga menaxhmenti i spitalit si dhe është bërë shikimi i historisë së pacientit.

Ndërsa, urologu Agim Hazrolli ka treguar se pacienti është pranuar në repartin e urologjisë për tretman kirurgjikal dhe se i janë bërë ekzaminimet laboratorike dhe ekzaminimet tjera plotësuese.

Ai ka deklaruar se pas kompletimit të ekzaminimeve, pacientit i është rekomanduar që të vazhdoj trajtimin e mëtejmë në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë.

“Pacienti pranohet në repartin Urologjik për tretman kirurgjikal. I janë bërë ekzaminimet laboratiorike dhe ekzaminimet tjera plotësuese. Është kërkuar mendimi i anesteziologut, i cili ka kërkuar edhe mendimin nga kardiologu. Nga kardiologu është bërë ECHO  e zemrës dhe CT e Toraxit.  Pas kompletimit të ekzaminimeve, pacientit i është rekomanduar trajtim i mëtejmë në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë”, ka shtuar ai.

Tutje nga spitali i Prizrenit kanë thënë se pas marrjes në pyetje të urologut Hazrolli është shikuar fletëdalja e pacientit.

“Të dhënat në deklaratë janë në përputhshmëri të plotë me të dhënat e fletëdaljes”, thuhet nga ky spital.

(Kosova Sot Online)