Latifi për shpenzimet e karburanteve: Kuvendi është i mbushur me prosjakë

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 09:30
Latifi për shpenzimet e karburanteve: Kuvendi është i mbushur me prosjakë

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovë, gjatë periudhës nëntor-dhjetor për karburante.

Latifi ka shkruar se publikimi i këtyre fakteve për karburantin e deputetëve të mbuluar nga buxheti i shtetit, dëshmon se Kuvendi i Kosovës është i mbushur me “prosjakë”.

Ai ka shpjeguar se fjala “prasjak” përdorej nga të moshuarit, për ta përshkruar karakterin e një njeriu që përpiqet në çdo rast të zhvatë diçka.

“Të vjetërit e përdornin shpesh fjalën “prasjak”, për ta përshkru karakterin e një njeriu meskin që përpiqet në çdo rast e situatë me zhvatë diçka, karakterin e një njeriu të pangopur. Publikimi i këtyre fakteve për karburantin e deputetëve të mbuluar nga buxheti i shtetit, na dëshmon se Kuvendi i Kosovës është i mbushur me prasjakë”, ka shkruar Latifi.

Ndryshe, të enjten janë publikuar shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për karburante.

Për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy mauj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja  Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara nga Kanal 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)