Thatësi e madhe në Marok, besimtarët në xhami luten për shi

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 15:14
Thatësi e madhe në Marok, besimtarët në xhami luten për shi

Mbreti Muhamed VI i Marokut urdhëroi që në të gjitha xhamitë e vendit të bëhen lutje Zotit për shi, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Çështjeve Fetare, të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, MAP.

Lutje të tilla, të cilat bëhen edhe në shtete të tjera myslimane, ku nevojiten reshjet e shiut, mbështeten në një varg të Kuranit dhe në një thënie të Profetit Muhamed, i cili kishte rekomanduar lutje të posaçme “sa herë që shiu është i pakët”, shkruan France24.

Ekonomia e Marokut varet shumë nga bujqësia, por shteti i Afrikës Veriore është duke u përballur me thatësi të madhe. Rezervuarët janë në nivelin e vetëm 34 për qind të kapacitetit, në krahasim me 46 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare.

Pavarësisht përmirësimit të të korrave vitin e kaluar, mungesa e ujit e goditi sektorin e bujqësisë, nga i cili sigurohet rreth 14 për qind e prodhimit vendor. Kjo gjendje ka shkaktuar frikë për rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore.

Ministria e Bujqësisë parasheh që reshjet mesatare do të pakësohen për 11 për qind deri në vitin 2050, ndërsa sasia e ujit në dispozicion për ujitje të bjerë për 25 për qind.

Sipas Institutit Botëror të Burimeve, Maroku dhe shtetet tjera të Afrikës Veriore si Algjeria, Libia dhe Tunizia janë në mesin e vendeve më të varfra me ujë.

(Kosova Sot Online)