Ministri Çeku: Debati për shtëpinë e Xhafer Devës e ka burimin në Serbi

  • G.G /
  • 08 February 2022 - 13:38
Ministri Çeku: Debati për shtëpinë e Xhafer Devës e ka burimin në Serbi

Ministri Hajrullah Çeku thotë se Kosova nuk rehabiliton figura historike siç bën Serbia, në një shkrim ku ai tregon pse e sheh me vend renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Ai thotë se në fakt zhurma e nisur për renovimin e objektit që lidhët vetëm me emrin e Xhafer Devës, e ka fillin në Serbi.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e sheh të rëndësishme objektin e pronësisë publike në Mitrovicë, që njihet si shtëpia e Xhafer Devës. Kundër restaurimit të kësaj shtëpie ka dalë Ambasada gjermane në Prishtinë, e cila e konsideron si “shpëlarje” të historisë.

Por, ministri thotë se jo domosdoshmërish ky objekt i ndërtuar në vitin 1930 duhet të lidhet vetëm me emrin e Xhafer Devës, një politikani aktiv gjatë Luftës së Dytë Botërore, që konsiderohet pronazist e bashkëpunëtorë i nazistëve gjermanë.

Çeku thotë se Kosova kurrë nuk tenton të rehabilitojë figura historike dhe se zhurma për renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës e ka fillin nga Serbia.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë”, thuhet në shkrimin e Çekut në Facebook.

“Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë. Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherit duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve”, shkruan tutje aty.

Ministri Çeku thotë se shtëpia e restauruar do t’i shërbejë publikes dhe në pjesën që planifikohet të bëhet galeri, sipas ministrit, mund të përdoret edhe për të shfaqur të kaluarën e Devës.

“Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit. Hapësira muzeale mund t’i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbej edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë”, shkruan Çeku.

(Kosova Sot Online)