I vazhdohet suspendimi policit Amir Hoxha

  • A.P /
  • 08 February 2022 - 23:02
I vazhdohet suspendimi policit Amir Hoxha

I është vazhduar suspendimi zyrtarit policor Amir Hoxha, i cili ditë më parë u suspendua vetëm për 3 ditë nga puna për shkak të një postimi në Facebook.

Hoxha ishte suspenduar për shkak se në llogarinë e tij në Facebook kishte kërkuar pagesat e shujtave për policë të cilat nuk janë ekzekutuar ende, ndërkohë që edhe reagoi pasi në media u publikuan shpenzimet prej mijëra eurove të deputetëve të Kuvendit për udhëtime.

Lajmin për vazhdimin e suspendimit të tij e ka konfirmuar avokati i tij, Gent Gjini.

Hoxha ishte suspenduar nga Policia e Kosovës derisa Inspektori Policor kishte thënë se nuk ka dorë në suspendimin e tij. Policia e suspendoi për faktin se Hoxha kishte bërë postime politike. Më pas Hoxha ishte ankuar në Sindikatën e Policisë e cila nuk reagoi për mbrojtjen e tij, derisa ai i akuzoi se vetëm marrin 1% të pagave të zyrtarëve policorë por asnjëherë nuk u dalin në ndihmë atyre.

(Kosova Sot Online)