E tmerrshme: Një shtet angazhon fëmijë për të mbytur qen e mace endacake

  • E.K /
  • 09 February 2022 - 09:48
E tmerrshme: Një shtet angazhon fëmijë për të mbytur qen e mace endacake

Autoritetet në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat, kanë filluar që të angazhojnë fëmijë për t’i “pastruar” rrugët nga qentë dhe macet endacake para mbledhjes së hershme të dhomës së lartë të kuvendit.

Mbrojtësit e të drejtave të kafshëve në ish-republikën sovjetike me kontroll të rreptë ankohen se, ditëve të fundit, jo vetëm punëtorët e qendrave industriale, por edhe fëmijët janë angazhuar për shpërblime të vogla me para për të gjetur, kapur dhe mbytur kafshë ose për t’i sjellë ato në një hangar në periferi të kryeqytetit, ku lihen për të ngordhur pa ushqim dhe ujë.

Aktivistët për të drejtat e kafshëve, që e kanë ngritur çështjen në internet, janë përballur me presion nga autoritetet, të cilat i kanë vizituar shtëpitë dhe zyrat e tyre për t’i paralajmëruar për masa, shkruan Free Europe.

Fushata për likuidimin e qenve dhe maceve endacake u nis në kohën kur Turkmenistani po përgatitet për mbledhjen e Këshillit të Popullit, të planifikuar për datën 11 shkurt. Fushata të tilla për grumbullimin e kafshëve endacake janë mbajtur me vjet para ngjarjeve të rëndësishme shtetërore e qeveritare.

Ndërkohë raportohet se anëtarët e Këshillit të Popullit janë mbajtur në karantinë në njërin nga hotelet e kryeqytetit që nga 10 janari për t’u siguruar që “asnjë sëmundje e frymëmarrjes” të mos ndikojë në mbledhjen e rëndësishme.

Qeveria e Turkmenistanit vazhdimisht ka pretenduar se në këtë shtet nuk është regjistruar asnjë rast i koronavirusit pavarësisht dyshimeve serioze rreth këtij pretendimi.

(Kosova Sot Online)