Kontrabandoi 58 dele nga Maqedonia e Veriut, deklarohet i pafajshëm i akuzuari

  • G.G /
  • 09 February 2022 - 13:33
Kontrabandoi 58 dele nga Maqedonia e Veriut, deklarohet i pafajshëm i akuzuari

I akuzuari B.Rr u deklarua i pafajshëm se ka kontrabanduar 58 krerë dele dhe dy krerë dhi nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë, duke iu shmangur kontrollit doganor prej 502 euro e 45 centë.

Këtë deklarim, i akuzuari e bëri në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Leonora Kadriu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I pafajshëm jam, ngase ato dele kanë qenë të miat, për këtë kam dhe dëshmitarë”, deklaroi i akuzuari.

Gjykatësi Nexhat Aliu, e njoftoi të akuzuarin se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë për kërkesë lidhur me hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 4 mars 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj B.Rr me arsyetimin se më 24 shkurt 2020, në fshatin Samakovë, zyrtarët policorë kanë vërejtur të pandehurin dhe dy persona në këmbë që ishin duke drejtuar një tufë me 58 krerë dele dhe dy krerë dhi nga Republika e Maqedonisë Veriore në dreitim të fshatit Samakovë, Komuna e Vitisë.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti i ishte shmangur kontrollimit doganor duke kryer bartjen e mallrave pa dokumentacion, e që shmangja doganore kapë vlerën prej 502 euro e 45 centë.

Me ketë, B.Rh akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”, nga neni 311, paragrafi 1 të Kodit Penal, veprën kjo e dënueshme me me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)