Qeveria i kërkon AKP’së që të mos shes asete që do t’i transferohen Fondit Sovran

  • G.G /
  • 09 February 2022 - 13:43
Qeveria i kërkon AKP’së që të mos shes asete që do t’i transferohen Fondit Sovran

Qeveria e Kosovës ka udhëzuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit që të mos vendos në shitje asetet që mund të transferohen në Fondin Sovran.

Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të ZKM’së, këto asete mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran.

“Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.

Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran. Andaj, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pajtim me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, plotëson/ndryshon vendimin e Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020”, ka njoftuar ZKM’ja.

Ndryshe, ditë më parë, kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrat Hekuran Murati dhe Artane Rizvanollin, kishte vizituar AKP’në.

Sipas njoftimit të atëhershëm të ZKM’së, 1 mijë e 635 asete do t’i barten Fondit Sovran, derisa 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së.

“Paralelisht me punën e këtij grupi punues, Bordi i AKP-së ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsejtë 2364 asete të AKP-së, nga të cilat pas një analize të hollësishme e konkrete është vlerësuar se 1653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran, ndërkaq 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)