'E keni kërkuar, shijojeni' – pse ia tha Skënder Hyseni këto fjalë Raportueses Viola Von Cramon?

  • A.P /
  • 09 February 2022 - 20:21
'E keni kërkuar, shijojeni' – pse ia tha Skënder Hyseni këto fjalë Raportueses Viola Von Cramon?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe ish-Koordinatori Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hyseni në reagimin e tij për dështimin e Rezolutës së opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës ka përmendur edhe eurodeputeten Viola von Cramon.

Hyseni pasi kritikoi opozitën për këtë dështim, në fund la edhe një mesazh për eurodeputeten.

“Mozomakeq, ku jemi katandisë! E sa për Viola von Cramon më duhet t’i them: E keni kërkuar, shijojeni”, ka shkruar Hyseni.

Cramon ka reaguar sot gjatë ditës ndaj sulmeve të burrit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu ndaj gazetarëve në Kosovë.

Von Cramon ka shkruar se është duke e ndjekur nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve.

“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, është shprehur ajo.

Kujtojmë se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, kishte qenë kundër rrëzimit të Qevrisë Kurti 1.

Cramon e cila njihet si mbështetëse e kësaj qeverie kishte deklaruar se rrëzimit i qeverisë në marsin e vitit 2020 ishte gabim i madh.

“Besoj se ishte gabim i madh, që u rrëzua qeveria më 25 mars. Shumë në perëndim e komentuan atëherë kështu, dhe ne të gjithë e kritikuam që nuk është ide e mirë të rrëzosh në kohë pandemie një qeveri, që deri atëherë kishte bërë një punë të mirë e shumë njerëz ishin të kënaqur. U duk që në fillim, se do të bëhej e vështirë të gjendej një shumicë për ndërrimin e qeverisë apo zgjedhjen e kryeministrit të ri”, kishte deklaruar Cramon.

Postimi i plotë i Skender Hysenit:

Dështon rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës!

Ishte një lajm sot ne portalet e Kosovës!

Po, pse çka priti koj opozita jonë e mjere?!

– Pas votimit të Vjosës për Presidente …… burri i së cilës don të instalojë në tip censure all “Kore e Veriut” në Kosovë;

– Pas votimit te rezolutave mashtruese të Albin Kurtit?!

– Pas përkrahjes pa ekuivoke të poltikave të jashtme të Albin kurtit dhe Vjosa Osmanit?!

Ju pritët Se Albin Kurti do ua bëjë kuorumin, pë një kauzë shumë tokësore?!

Natyrisht që jo,

Ju jeni asgje pos një dekor i Albin Kurtit!

Mozomakeq, ku jemi katandisë!

E sa për Viola Von Cameron….

më duhet t’i them

E keni kërkuar, shijojeni!


(Kosova Sot Online)