Albulena Haxhiu vjen me mesazhe të qarta për pasuesin e Lumezit, ky i fundit ia kujton ndërkombëtarët

  • G.G /
  • 11 February 2022 - 11:21
Albulena Haxhiu vjen me mesazhe të qarta për pasuesin e Lumezit, ky i fundit ia kujton ndërkombëtarët

Në konferencën vjetore të prokurorëve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit duhet të jetë transparent dhe meritor.

“Zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit është përtej Këshillit Prokurorial sepse ka jehonë e ndikim si brenda ashtu edhe jaht vendit. Sigurohuni që ky proces te jetë transparent, i drejtë, profesional dhe meritor. Faleminderit për punën e mirë që keni bërë. Ministria e Drejtësisë është e gatshme të kontribuojë dhe avokojë për ju. Fati i qytetarëve është në duart tona”, ka thënë Haxhiu.

Në këtë konferencë ajo u është drejtuar prokurorëve duke u thënë se duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë objektive dhe të pavarur.

“Duhet të keni parasysh parimet qe do te ju udhëheqin gjatë punës suaj. Ushtrojeni detyrën tuaj në mënyrë objektive dhe të pavarur. Nuk ka më mirë se qytetarët të ju njohin për punën e ndershme dhe profesionale, dhe për guximin. Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i pa prekshëm dhe se të gjithë janë te barabartë para ligjit. Ju duhet të dëshmoni që nuk ju interesojnë emrat e përveçëm por veprat që kanë bërë”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë thirrje që të mos ketë tolerime as për veprat që kanë të bëjnë me dhunën në familje.kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se nga ky institucion është bërë punë e madhe e cila sipas tij vërtetohet me rezultate konkrete. Ai tha edhe se reformat në drejtësi nuk mund të ndërtohen nëse injorohen interesat e përgjithshme.

“Kryeprokurori i shtetit së shpejti do të ketë drejtues të ri i cili duhet të marrë besimin edhe nga partnerët ndërkombëtar jo vetëm nga institucionet. Të jetë i gatshëm të mbrojë nderin dhe pavarësinë e institucionit. Kryeprokurori i shtetit gjatë këtyre viteve ka qenë unik duke treguar forcë e vendosmëri duke u përballur me çdo situatë të krijuar, besoj që kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë Lumezi.

Lumezi foli edhe për ndjekjen e zyrtarëve të lartë shtetëror.

“Kemi treguar se jemi në gjendje të reagojmë në mënyrë adekuate në te gjitha situatat. Është bërë një punë mjaft e madhe që vërtetohet nga rezultatet konkrete. Më parë as nuk është paramenduar ndjekja penale ndaj zyrtarëve te lartë shtetëror e sot kjo është bërë realitet”, tha Lumezi.

(Kosova Sot Online)