Ish-nënpresidenti afgan: Talibanët kanë rrëmbyer 9 perëndimorë, përfshirë ish-gazetarin e BBC-së

  • G.G /
  • 11 February 2022 - 13:39
Ish-nënpresidenti afgan: Talibanët kanë rrëmbyer 9 perëndimorë, përfshirë ish-gazetarin e BBC-së

Ish-nënpresidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh, ka pretenduar se nëntë perëndimorë, përfshirë ish-gazetarin e BBC-së, Andrew North, janë rrëmbyer nga talibanët.

Besohet se Andrew North është duke punuar për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, shkruan Independent.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, UNHCR, tha: “Dy gazetarë me UNHCR-në dhe shtetas afganë që ishin duke punuar me ta janë ndaluar në Kabul. Jemi duke e bërë më të mirën për ta zgjidhur situatën, në bashkërendim me të tjerët.”

Saleh shkroi në Twitter: “Për shkak të mungesës së medieve, raportimit nga qytetarët dhe atmosferës mbytëse, korrupsioni, krimii dhe shkeljet nuk ekspozohen mirë. Si shembull, nëntë qytetarë të vendeve perëndimore janë rrëmbyer – në mesin e tyre Andrew North i BBC-së.”

Faqja afgane e lajmeve, “Afintl”, ka raportuar se një burim i shërbimit botëror të BBC-së ka konfirmuar se Andrew North është rrëmbyer.

Redaktori ekzekutiv i lajmeve të botës në BBC, Paul Danahar, në rrjete sociale tha: “Andrew North është duke punuar për OKB-në në Kabul. Ai është ish-koleg dhe gazetar i respektuar. Të gjitha pyetjet për këtë situatë, për të cilën miqtë dhe kolegët e tij qartazi janë të shqetësuar, duhet t’i drejtohen OKB-së.”

(Kosova Sot Online)