Raportohet se ShBA-ja ka vendosur edhe për një tërheqje tjetër nga Ukraina

  • E.K /
  • 12 February 2022 - 12:46
Raportohet se ShBA-ja ka vendosur edhe për një tërheqje tjetër nga Ukraina

Dy burime diplomatike i thanë të shtunën agjencisë “Reuters” se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që stafi amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë – OSBE – të tërhiqet menjëherë nga Ukraina, pas frikës për pushtim të mundshëm nga Rusia.

OSBE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Kjo organizatë kryen operacione të ndryshme në Ukrainë, përfshirë misionin vëzhgues civil në rajonet lindore ukrainase të kontrolluara nga separatistët e përkrahur nga Rusia, ku nga një luftë e nisur më 2014 janë vrarë mbi 14.000 njerëz, shkruan Reuters.

Njëri nga burimet, që foli në kushte anonimiteti, tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i tërhequr pjesëtarët e vet të OSBE-së është me efekt të menjëhershëm dhe se ata presin që edhe vendet e tjera të marrin vendime të ngjashme së shpejti.

Dy burime i thanë agjencisë “Reuters” se Britania e Madhe ka vendosur që t’i zhvendosë pjesëtarët e saj të OSBE-së nga rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainë për t’i dërguar në zonën e kontrolluar nga forcat qeveritare ukrainase.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleate të tyre u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet që të largohen menjëherë nga Ukraina për shkak të rrezikut për agresion ushtarak, që, sipas tyre, mund të ndodhë në çdo çast.

(Kosova Sot Online)