Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj: Janë mobilizuar zjarrfikësit nga qytetet tjera

  • E.K /
  • 15 February 2022 - 08:15
Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj: Janë mobilizuar zjarrfikësit nga qytetet tjera

Komandanti i Zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi, ka deklaruar se ka pasur zjarrfikës që kanë ardhur nga shtëpitë e tyre për të iu ndihmuar kolegëve të tyre në shuarjen e zjarrit që e ka kapluar objektin e një qendre tregtare në këtë qytet.

Krasniqi tha se përpos atyre nga Ferizaj janë mobilizuar edhe kolegë nga qytetet e tjera.

Ai theksoi se deri më tani nuk ka informacione për ndonjë person të lënduar.

“Sonte ka qenë gjendja e jashtëzakonshme. Ka pasur zjarrfikës që kanë ardhur nga shtëpia për të na ndihmuar. Përpos zjarrfikësve nga Ferizaj janë mobilizuar edhe zjarrfikësit nga regjioni Shtimja, Kaçaniku, Gjilani dhe Vitia. Deri më tani sa kemi informacion nuk ka persona të lënduar të cilët kanë mundur të ngecin brenda. Në perimetër prej 20 metrash ka qenë edhe pompa e derivateve, pra ke qenë gjendja e jashtëzakonshme. Si po e shihni ne e kemi nën kontroll zjarrin”, ka deklaruar ai për KlanKosova.

Pak minuta pas mesnatës së hënës, një zjarr i madh e ka kapluar supermarketin “Viva Fresh Store” në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli, ka deklaruar për Express se nuk ka të lënduar.

“Rreth orës 00:11, Policia ka pranuar një informacion se qendra tregtare – “Viva Fresh Store” afër policisë është kapluar nga një zjarr. Ekipet e policisë dhe zjarrfikësit kane dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar”, tha Veseli 

(Kosova Sot Online)