Politologu rus: Në Moskë asnjeri nuk po flet për luftë, synimi i Putin shkon përtej Ukrainës

  • E.K /
  • 15 February 2022 - 12:55
Politologu rus: Në Moskë asnjeri nuk po flet për luftë, synimi i Putin shkon përtej Ukrainës

Ndërkohë që opinioni publik perëndimor po përgatitet për një luftë të re në Evropë, me epiqendër Ukrainën, në Moskë ngjarjet e javëve të fundit shihen në mënyrë të kundërt.

“Jemi të shokuar nga retorika e mediave perëndimore. Në Moskë askush nuk flet për luftë. Një ndërhyrje ushtarake do të ishte shumë e çuditshme”.

Është i bindur për këtë, politologu Fyodor Lukyanov, dhe një nga zërat më të dëgjuar në Kremlin.

“E gjithë bota po pret që Putin të urdhërojë sulmin, por ideja që ai t’ i japë të drejtë pritshmërive të tyre, është diçka qe nuk  ngjan me veprimet e presidentit rus”, thotë ai, i intervistuar në mediat italiane. 

Më shumë se 130 mijë ushtarë ndodhen në kufijtë me Ukrainën, por për politologun kjo nuk përbën detyrimisht paradhomën e një konflikti.

“Nuk ka dyshim që Rusia po ndërmerr një fushatë presioni diplomatik të shoqëruar nga forca e armeve. Por nuk ka të bëj vetëm me Ukrainën”, thotë ai.

“Kemi stërvitje në Baltik, në Bjellorusi dhe në Detin e Zi. Kemi të bëjmë me një objektiv më të madh për Putin, jo thjesht pushtimi i një vendi. Moska do të tregojë që tej e tutje duhet të merret seriozisht, duke propozuar një kuadër të ri sigurie në kontinent.  Qysh nga vitet ’90, Rusia nuk ka qenë e kënaqur me këtë sistem, që sipas saj është i padrejtë. Mesazhi është i qartë për Perëndimin, “në qoftë se mendoni se mund ti shkruani vetë rregullat e sigurisë në këtë pjesë të botës, gaboheni, sepse Moska është superiore ushtarakisht. Për këtë arsye, mendoj se një luftë e hapur është pothuajse e pamundur. Putin mund të jetë gjithçka, por nuk është një lojtar bixhozi. Ai analizon çdo gjë, dhe vepron vetëm kur mendon se ka sigurinë e duhur” tha ai, raporton a2news.

Rusia: Propaganda e Perëndimit u turpërua dhe u shkatërrua pa u qëlluar asnjë plumb

Por çfarë mund t’ i sjell Moskës zyrtare ky tensionim i situatës, nga pikëpamja diplomatike? Për Lukyanov, “ braktisja e çdo iluzioni te Kievit për të hyrë në NATO , rishikimi i marrëveshjes së Minskut, por me tutje edhe rihapja e diskutimeve me SHBA për sa i përket kontrollit të armatimeve në Europën Lindore”.  

Gjithsesi sipas disa analistë të tjerë, Putin nuk mund të tërhiqet nga Ukraina pa një fitore, edhe pse të pjesshme. 

Këto ditë pritet që Duma ruse të njohë pavarësinë e republikave separatiste të Donjeskut dhe Luhanskut, propozim i Putin që dukej se ishte lënë mënjanë nga ngjarje të vrullshme të këtyre ditëve. Një aneksim zyrtar i këtyre rajoneve mund te ishte një kompromis i pranueshëm për Moskën, por ndoshta edhe për komunitetin ndërkombëtar, ndërkohë që Kievi do të duhej serish të gëlltiste vendimin e fuqive të tjera mbi territorin e saj, por do të shpëtonte të paktën pavarësinë e saj.  

(Kosova Sot Online)