Familjarët e Xhafer Devës insistojnë për takim me Ambasadorin gjerman

  • G.G /
  • 15 February 2022 - 13:17
Familjarët e Xhafer Devës insistojnë për takim me Ambasadorin gjerman

Familjarët e Xhafer Devës insistojnë për një takim me ambasadorin gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode, pas deklaratave të tij për politikanin nga Mitrovica gjatë luftës së dytë botërore.

Valdet Deva familjar i Xhafer Devës i cili jeton në evropë, i tha Gazetës Express se javën tjetër do të qëndrojë në Kosovë dhe do të kërkojë takim me ambasadorin gjerman.

“Ambasadori gjerman z. Rhode nuk më është përgjigjur rreth kërkesës time për kërkimfalje, por as nuk ka prezantuar ndonjë dokument i cili mbështet akuzat e tij ndaj Xhafer Devës. Javën tjetër do të vijë në Kosovë dhe do të kërkojë takim me ambasadorin ashtu siç paralajmërova në letrën time dërguar ambasadorit”, tha ai.

Ai tha se e mban të hapur mundësinë e padisë për ambasadorin Rhode.

“Mundësinë e padisë e kemi nën shqyrtim dhe e mbajmë të hapur deri mbas deklaratës që shpresojmë ambasadori z. Rhode duhet ta bëjë”, tha Deva.

Para disa ditësh, Valdet Deva, i ka shkruar letër ambasadorit Rhode, ku i ka kërkuar atij që të bëjë kërkimfalje për deklaratat e tij për Xhafer Devën ose t’i nxjerr provat se Xhafer Deva ka qenë pjesëmarrës në Holokaust për dorëzimin e hebrenjve

“Duke marrë parasysh se kjo deklaratë është ndikuar nga pala e tretë, e që mund të jetë ndonjë vend fqinjë i Kosovës , konsideroj se mënyra dhe pesha e deklaratës Tuaj shpifëse dhe nënçmuese ndaj Xhafer Devës, nuk do të duhej të behej kurrë. Në rast se Ju nuk kërkoni falje publike, kërkojmë takim me Ju, ku gjatë këtij takimi do te keni mundësi të na prezantoni provat Tuaja në lidhje me pjesmarrjen e supozueme të Xhafer Devës ne Holokaust”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)