Kontrabandoi dru nga Maqedonia e Veriut dhe dëmtoi buxhetin e Kosovës, aktgjykimi ndaj të akuzuarit do të shpallet pas dy ditësh

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 13:46
Kontrabandoi dru nga Maqedonia e Veriut dhe dëmtoi buxhetin e Kosovës, aktgjykimi ndaj të akuzuarit do të shpallet pas dy ditësh

I akuzuari S.S e ka pranuar fajësinë se në tetor të 2021-tës ka kontrabanduar 5 m3 masë drunore për djegie, pa kurrfarë dokumentacioni përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre, i cili mall është sjellë përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Leonora Kadriu, i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Sipas kësaj të fundit, i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 37.5 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë, jam pendu dhe i premtoj gjykatës që më nuk do të përsëritet”, tha i akuzuari.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar prokurorja Sinani, e cila ka kërkuar nga gjykata që t’i vlerësojë rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Pranimi i fajësisë është aprovuar nga gjykatësja Blerina Jakupi-Ramadani, ndërkaq shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më 18 shkurt 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se më 19 tetor 2021, rreth orës 16:15, në fshatin Binqë-Viti, për në fshatin Dobëllde, i pandehuri S.S me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veti apo tjetrin, ka kontrabanduar mallra nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Aty thuhet se është ndaluar nga patrulla e policisë kufitare në Zhegër dhe gjatë kontrollimit, në kamionin e tij me ngjyrë bardhë i pandehuri kishte të ngarkuara 5m3 masë drunorë për djegie, pa kurrfarë dokumentacioni përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre, i cili mall është sjellë përmes rrugëve ilegale. Malli thuhet se është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor “Dheu i Bardhë”.

Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, i pandehuri me veprimet e tij, me qëllim të kontrabadimit dhe përfitimit personal në mënyrë të kundërligjshme, i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 37.5 euro

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, paragrafi 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)