Për herë të tretë, gjykata e dënon me 250 euro mbrojtësin e të akuzuarit Shaban Gogaj për zvarritje të procedurës penale

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 14:24
Për herë të tretë, gjykata e dënon me 250 euro mbrojtësin e të akuzuarit Shaban Gogaj për zvarritje të procedurës penale

Për shkak se mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Shaban Gojgaj, avokati Gëzim Kollçaku, nuk ishte i pranishëm në seancë, Gjykata Themelore në Pejë për të tretën herë i shqiptoi dënimin me 250 euro gjobë për shkak të zvarritjes së procedurës penale.

Ky vendim u mor në seancën e së mërkurës nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, e cila tha se avokati është i obliguar të paraqitet në seancë, derisa të caktohet një mbrojtës tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Duke marrë parasysh që nuk është prezent mbrojtësi i caktuar me aktvendim të kësaj gjykate dhe se i njëjti është i obliguar të paraqitet në seancë, gjykata merr vendim që mbrojtësin e të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku, i shqiptohet gjoba në shumën prej 250 euro, për shkak të zvarritjes së procedurës penale, i njëjti është i obliguar të paraqitet në seancë, derisa të caktohet mbrojtës tjetër qoftë zyrtarisht apo privatisht”, tha gjykatësja Husaj-Rugova.

E njëjta tha se lidhur me këtë vendim, do të njoftohet Oda e Avokatëve, ndërsa ankesa kundër këtij aktvendimi është e lejuar në afat prej tre ditësh.

“Meqenëse Oda nuk ka pranuar me caktu avokat, do t’i thërrasim gjithë avokatët në Kosovë, derisa të plotësohen kushtet ligjore”, shtoi gjykatësja Husaj-Rugova.

Paraprakisht, gjykatësja njoftoi se avokati Kollçaku, përmes një parashtrese ka kërkuar tërheqjen nga mbrojtja e të akuzuarit Gogaj, duke treguar edhe arsyet.

“Nuk është prezent avokati Gëzim Kollçaku, i caktuar sipas detyrës zyrtare. I njëjti ka paraqitur një parashtresë, ku kërkon tërheqjen nga mbrojtja duke paraqitur vendimet e nxjerra nga Oda dhe gjithashtu ka disa arsye personale me prindin e të akuzuarit Shaban dhe i njëjti me arsye institon të mos jetë mbrojtës i tij”, tha gjykatësja.

Ajo tha se tërheqja e avokatit nuk ka efekt derisa të caktohet avokat tjetër, duke shtuar se kanë bërë përpjekje për të angazhuar avokat, por Oda nuk e lejon një gjë të tillë.

Në anën tjetër, dëmtuara Albesa Cacaj, kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, me të cilin kishte dëshiruar edhe largimin e të autorizuarit të dëmtuarve, avokatit Berat Maraj.

Avokati Maraj deklaroi se e ka marrë vendimin që është refuzuar kërkesa për përjashtim.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës dhe e radhës u caktua për 7 mars 2022.

Gjykatësja Husaj-Rugova tha se derisa të vendoset për një avokat tjetër, do të jetë ende i caktuar avokati Gëzim Kollçaku.

Në seancën e mbajtur më 31 janar 2022, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollcaku u dënua me 250 euro gjobë për zvarritje të gjykimit.

Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.

Në seancën e 25 nëntorit, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.

Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)