Ky qytet i Kosovës shpallet 'kampion' i varfërisë

  • E.K /
  • 18 February 2022 - 14:07
Ky qytet i Kosovës shpallet 'kampion' i varfërisë

Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, që marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës, aktualisht është 25 mijë e 895.

Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2021, nga skemat e ndihmave sociale të Kosovës kanë përfituar gjithsej 102 mijë e 904 anëtarë familjesh, nga vetëm 102 mijë e 19 veta që ishin të regjistruar në muajin nëntor.

Sipas të dhënave më të fundit të dala nga raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth “Mirëqenies Sociale” në tremujorin e katërt të 2021-s, rreth 4 mijë e 406 familje kanë përfituar nga skema për mbështetje materiale për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2021, numri më i madh i familjeve nën asistencë sociale ishte në komunën e Mitrovicës, komunë kjo e cila për vite me radhë prinë për numrin e madh të familjeve në varfëri. Nga kjo komunë kanë përfituar gjitshej 2 mijë e 360 familje, apo 9.1 % e numrit të përgjithshëm të familjeve në Kosovë që janë nën asistencë. Njësoj, edhe numri më i madh i anëtarëve të familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë, është po ashtu në komunën e Mitrovicës, me gjithsej 9 mijë e 674 përfitues, apo 9,4 % e numrit të përgjithshëm.

Pas Mitrovicës “së varfër”, renditet prishtina me numrin më të madh të familjeve që përfitojnë nga skemat sociale. Kështu, kjo komunë ka të regjistruar gjithsej 1 mijë e 492 familje në skemat sociale. Kurse pas Prishtinës, vijnë Vushtrria me 1 mijë e 474 familje, Gllogovci me 1 mijë e 225 familje, Lipjani me 1 mijë e 346, si dhe Peja me 1 mijë e 66 familje. Edhe komunat e  tjera padyshim se kanë familje nën asistencë sociale, mirëpo tek ato numri i familjeve të regjistruara si raste sociale është më i vogël.

Ndryshe, Skema e Ndihmës Sociale është mbështetje dhe ofrim i ndihmës së përkohshme financiare për familjet që jetojnë në varfëri. Pagesa mujore e përfituesve të kësaj Skeme bëhet sipas numrit të anëtarëve të familjes, ku shuma minimale është gjashtëdhjetë (60) euro për familjet me një anëtar ndërsa shuma maksimale është njëqind e tetëdhjetë (180) euro, të cilën mund ta përfitojnë familjet me pesëmbëdhjetë (15) anëtarë. Gjithashtu ekziston edhe një shtesë e vogël prej pesë eurove për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç.

(Kosova Sot Online)