Nga Prishtina në Tiranë për të vjedhur motoçikleta: arrestohet ‘shëtitësi’ i natës

  • E.K /
  • 19 February 2022 - 09:58
Nga Prishtina në Tiranë për të vjedhur motoçikleta: arrestohet ‘shëtitësi’ i natës

Komisariati nr.4 i Tiranës ka arrestuar një të ri 24-vjeçar nga Prishtina, që vinte në Tiranë për të vjedhur motoçikleta dhe biçikleta. Ky personazh u bë i njohur për veprimtarinë e tij, të specializuar në grabitjen e dyrrotakëve.

Kësisoj, Policia e Tiranës organizoi operacionin “Shëtitësi”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi S. A., 24 vjeç, banues në Prishtinë, për veprat penale "Vjedhja" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Sipas Policisë, ai, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje biçikletash dhe motomjetesh dhe nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se është autor i 3 rasteve të vjedhjeve të ndryshme, konkretisht:

Më datë 22.01.2022, në rrugën “Marie Kraja”, dyshohet se ka vjedhur motomjetin në pronësi të shtetasit Gj. H.;

Më datë 18.02.2022, në rrugën “Niko Avrami”, dyshohet se ka vjedhur motomjetin në pronësi të shtetasit K. Ç.;

Po më datë 18.02.2022, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se ka vjedhur një aparat celular dhe një biçikletë në pronësi të shtetasit E. T.

Tashmë po vazhdon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Tiranës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(Kosova Sot Online)