U arrestua në Kroaci, Bashkim Osmani pritet të ekstradohet në Spanjë

  • E.K /
  • 19 February 2022 - 11:59
U arrestua në Kroaci, Bashkim Osmani pritet të ekstradohet në Spanjë

Bashkim Osmani, shqiptari i dyshuar si bosi i bandës mafioze të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave e shënjestruar nga operacioni masiv i policisë të martën, pritet të sillet në Majorka nga Kroacia javën e ardhshme.

Osmani u arrestua në hotelin e tij BO Palazzo në Porec në kuadër të operacionit policor, i cili u krye njëkohësisht në vende të ndryshme të Europës duke çuar në pranga 45 shqiptarë.

Shqiptari 55-vjeçar nga Kosova, baza e të cilit është rezidenca e tij prej pesë milionë eurosh në Camp de Mar, në një nga zonat më ekskluzive të Andratx, ishte në hotelin e tij në veri të Kroacisë.

Hetuesit nga Guardia Civile dhe Policia Kombëtare shkuan në Kroaci për të bashkëpunuar në arrestimin, pasi ekzistonte frika se një rrjedhje informacioni mund të prishte të gjithë operacionin.

Osmani thuhet se ka kontakte në të gjithë Kroacinë dhe ka nën kontrollin e tij një ish-shef të Shërbimit Sekret kroat si dhe agjentë aktualë.

Ai nuk bëri rezistencë ndaj arrestimit dhe sugjerohet se kishte parashikuar që avokatët e tij ta lironin.

Megjithatë, ai po mbahet në një burg të sigurisë maksimale, në pritje të transferimit në Majorka.

Hetuesit thonë se është vendimtare që ai të sillet në Majorka.

Nëse do të qëndronte në Evropën Lindore, ai mund të merrte “trajtim preferencial”.

(Kosova Sot Online)