Dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim kosovari i akuzuar për pjesëmarrje në ISIS

  • E.K /
  • 21 February 2022 - 10:40
Dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim kosovari i akuzuar për pjesëmarrje në ISIS

I akuzuari S.N është dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS.

Aktgjykimi është shpallur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësi Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjyqtari Shala, të akuzuarin e ka obliguar që paushallin gjyqësor në shumë prej 100 euro ta paguajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, gjykatësi Shala ka vendosur që të akuzuari t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Ai tha se kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditëve.

Ndryshe, i akuzuari në seancën e 16 shkurtit, e ka pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 18 nëntor 2021, S.N akuzohej se fillimisht më 3 nëntor 2014, me paramendim dhe me dashje së bashku me bashkëshorten e tij Vildane Ismajli, kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës në atë mënyrë që përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit kanë udhëtuar për në Shkup – Republika e Maqedonisë dhe se të nesërmen me autobus kanë udhëtuar për në Suedi e që edhe pas dy muaj qëndrimi, përmes lidhjeve të caktuara me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga Aeroporti i Stokholmit me aeroplan kanë udhëtuar për në Stamboll-Gazientep ku janë pritur nga një shtetas turk dhe janë transportuar me automjet kombi në afërsi të kufirit me Sirinë ku kanë depërtuar në brendi te Sirisë dhe i njëjti është regjistruar në organizatën terroriste ISIS me nofkën “Ebu Sadri”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj më pas është pajisur me dokument të përkohshëm identifikimi dhe me këtë rast edhe ka vijuar ushtrimet fizike, taktike dhe luftarake i pajisur me armë të zjarrtë AK-47 ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it dhe më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, me të cilin rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, par. 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej pesë deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)