Sa është paga minimale tani dhe sa ka premtuar qeveria se do ta bëjë

  • A.P /
  • 21 February 2022 - 20:36
Sa është paga minimale tani dhe sa ka premtuar qeveria se do ta bëjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se kanë filluar procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai tha se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse e ka përgatitur projektligjin. Mirëpo, në një deklaratë të mëhershme të tij, Kurti kishte thënë se ajo do të jetë 250 euro gjatë premtimeve të mëhershme.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011

Kurti, më 17 dhjetor të vitit të kaluar ka treguar se po punohet në Ligjin e pagave, për të ofruar zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave, në sektorin publik. Kurti ka deklaruar se paga minimale do të ngritët në 250 euro.

Kjo çështje ishte diskutuar në takimin që pati ai me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli. Kurti tha se ai mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të Punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese.

(Kosova Sot Online)