Miroslav Lajçak: Diskutime intensive me Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin

  • G.G /
  • 22 February 2022 - 13:45
Miroslav Lajçak: Diskutime intensive me Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se pati diskutime intensive me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi si dhe negociatorin serb, Petar Petkoviq.

Lajçak shkroi se po zhvillohen diskutime për një sërë temash konkrete.

“Diskutime intensive me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq për një sërë temash konkrete po zhvillohen sot në Bruksel”, shkroi Lajçak.

Pala serbe, sipas asaj që ka thënë Petkoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, pritet të kërkojë që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill.

Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.

Takimi i 22 shkurtit zhvillohet pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.

Për këtë çështje është arritur një marrëveshje kalimtare në vjeshtën e vitit të kaluar, por është thënë se në një afat prej gjashtë muajsh duhet të arrihet një marrëveshje afatgjate.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se takimet e së martës do të shfrytëzohen për të testuar nëse ka gatishmëri të mjaftueshme mes palëve edhe për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim të tillë, por BE ka insistuar se nëse ndodhë ai, duhet të ketë edhe rezultate konkrete.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i pyetur rreth mundësisë që së shpejti të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ka thënë se “zhvillimi i një takimi të tillë do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme.

(Kosova Sot Online)