Ministri Latifi thotë se qytetarët e komunave me shumicë serbe po vaksinohen në Kosovë, të dhënat tregojnë ndryshe

  • E.K /
  • 22 February 2022 - 13:49
Ministri Latifi thotë se qytetarët e komunave me shumicë serbe po vaksinohen në Kosovë, të dhënat tregojnë ndryshe

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se përveç Komunës së Mitrovicës së veriut, komunat tjera me shumicë serbe kanë pranuar furnizimin me vaksina Anti-COVID.

Ndërsa, ai ka thënë se qytetarët e këtyre komunave po vaksinohen në Kosovë.

Latifi ka publikuar edhe disa shifra të numrit të të vaksinuarve me një, dy dhe tri doza në Komunën e Graçanicës, Novëbërdës dhe Graqanicës, të cilat tregojnë se një pjesë e qytetarëve të këtyre komunave nuk kanë marrë dozën e tretë të vaksinës në Kosovë.

“Interpetimi se nuk publikohen të dhënat e vaksinimit nga komunat me shumicë serbe nuk është tërësisht i saktë. Sepse në kuadër të dhënave të përgjithshme për numrin e të vaksinuarve kundër COVID-19 në Kosovë me një dozë dy ose tre doza përfshihen edhe të vaksinuarit nga këto komuna. Për informacionin tuaj që nga fillimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19 Ministria e Shëndetësisë u ka ofruar vaksina të gjitha komunave të Kosovës. Të gjitha kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Përkatësisht Komuna e Mitrovicës së veriut, nuk ka treguar vullnet për t’u furnizuar me vaksina, ndërsa komunat tjera  si ajo e Graqanicës, Novëbërdës, Shtërpcës, dhe lokacionet përreth tyre të banuara me serb, kanë marrë vaksina dhe janë vaksinuar”, ka deklaruar ai.

Latifi ka thënë se në Komunën e Graçanicës me dozën e parë janë të vaksinuar 1 mijë 594 qytetarë, në atë të Novëbërdës 1 mijë e 957, në Shtërpcë 1 mijë e 973 .

Me dy doza në Graçanicë janë vaksinuar 1 mijë e 448 qytetarë, në Novëbërdë  1 mijë e 731, në Shtërpcë 1 mijë e 174.

Me dozën e tretë në Graçanicë janë vaksinuar 3 mijë e 338 persona, në Novëbërdë 3 mijë e 900, ndërsa në Shtërpcë 4 mijë.

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se Kosova nuk ka të dhëna për testimin dhe vaksinimin e qytetarëve të komunave me shumicë serbe.

(Kosova Sot Online)