Vendimi ekstrem i talebanëve, u kërkojnë grave të mbulohen, qoftë edhe me batanije

  • G.G /
  • 22 February 2022 - 13:54
Vendimi ekstrem i talebanëve, u kërkojnë grave të mbulohen, qoftë edhe me batanije

Policia fetare e talebanëve u ka thënë grave që punojnë në Qeverinë e talebanëve të mbulohen, pasi në të kundërtën mund të humbin vendet e punës.

Ministria për Promovim të Virytit dhe Parandalim të Vesit, ka thënë më 22 shkurt se gratë nuk duhet të shkojnë në punë nëse nuk janë të mbuluara në mënyrën e duhur.

Ende nuk është bërë e qartë pse kjo deklaratë është lëshuar në këtë kohë.

Shumica e grave në Afganistan kanë gjithmonë kokat e mbuluara kur dalin në publik.

Ato mund të vendosin “tjetër lloj hixhabi. Varet nga ato, por ato duhet të mbulohen si duhet… apo edhe të vendosin batanije”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë për agjencinë e lajmeve AFP.

Shumica e grave kanë humbur vendet e punës në institucionet qeveritare prej kur talebanët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit të kaluar.

Liderët talebanë kanë pretenduar se gratë do të lejohen të kthehen në punë kur të krijohen ato që i konsiderojnë kushtet e duhura, siç është ndarja e hapësirave brenda zyrës.

Prej marrjes së pushtetit nga talebanët, zyrtarë të Perëndimit dhe aktivistë, bashkë me disa brenda Afganistanit, kanë shprehur shqetësime për të drejtat e grave nën rregullin ekstrem konservator të udhëheqësisë së talebanëve./rel

Vendimi ekstrem i talebanëve, u kërkojnë grave të mbulohen, qoftë edhe me batanije.

(Kosova Sot Online)