Arrestimi i 17 personave për fajde, ngrihen mbi pesë milionë euro

  • E.K /
  • 22 February 2022 - 15:28
Arrestimi i 17 personave për fajde, ngrihen mbi pesë milionë euro

Prokurorja Sahide Gashi ka dhënë detaje për arrestimin e 17 personave të dyshuar për veprën penale të “Fajdesë dhe detyrimit”.

Ajo tha se shuma që është ngrirë në këtë rast përllogaritet të jetë më shumë se 5 milionë euro.

“Kjo prokurori ka arritur që të arrestojë 17 persona të dyshuar për veprën penale të “fajdesë dhe detyrimit’ si dhe me që rast janë ngrirë pasuri që janë përllogaritur deri në këtë fazë që tejkalon shumën prej 5 milionë euro”, tha Gashi.

Ajo tha se për këtë rast hetimet kanë zgjatur më shumë se pesë muaj.

“Pas marrjes së informatave në fillim të nëntorit të vitit 2021 ku sipas këtyre informatave ishin të përfshirë mbi 20 person në këto vepra penale, kryeprokurorit ka formuar një ekip dhe kemi filluar hetimet zyrtare apo formale ku janë përfshirë Drejtoria për Krim të Organizuar në Prishtinë dhe Sektori për Hetim të Financave gjithashtu në Prishtinë”, deklaroi ajo.

Sipas saj për një nga të dyshuarit tashmë veçse është caktuar masa e paraburgimit.

“Fillimisht e kemi pasur një të arrestuar në këtë rast që ka marrë epilog dhe që nga gjykata i është caktuar masa e paraburgimit me datë 17.02.2022, gjersa sot kemi caktuar masën e ndalimit policor për 48 orë për 16 persona, prej të cilëve njëri është në kërkim policor, dhe brenda afatit kjo gjykatë do të kërkojë edhe paraqitjen e masës së paraburgimit”, ka thënë ajo.

Ndaj të pandehurve tjerë, Gashi tha se kanë lëshuar urdhrin e përkohshëm për ngrirjen e aseteve.

“Për të pandehurin e parë A.R. kemi urdhëruar ngrirjen e përkohshme të asetesve si dhe është sigurua edhe urdhri ndalues për të njëjtin dhe pasurinë e të pandehurit. Sa i përket të pandehurve tjerë sot kemi lëshuar urdhër për ngrirjen e përkohshme të aseteve dhe i kemi parashtruar urdhëresë gjykatës kompetente për të lëshuar urdhër ndalimin”, ka thënë ajo.

Më tutje prokurorja i ka bërë thirrje të gjithë personave që ishin viktima të të dyshuarve që të paraqiten për dëshmi. 

(Kosova Sot Online)