Ukraina fillon rekrutimin e rezervistëve të moshave 18-60 vjeç

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 13:01
Ukraina fillon rekrutimin e rezervistëve të moshave 18-60 vjeç

Ukraina të mërkurën e filloi rekrutimin e rezervistëve të moshave 18-60 vjeç pas dekretit të Presidentit Volodymyr Zelensky, thuhet në një deklaratë të forcave të armatosura të Ukrainës.

Koha maksimale e shërbimit është një vit. Zelenskiy e përjashtoi mundësinë e mobilizimit të përgjithshëm në fjalimin që e mbajti në mbrëmje para popullit. Megjithatë, vendimi për t’i kthyer rezervistët në detyrë aktive është një shenjë e mëtejmë se Ukraina është duke u përballur për përleshje të mundshme ushtarake me fqinjën e saj, shkruan The Guardian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur pranë homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Uashington, paralajmëroi se kriza e tanishme është “kërcënimi më i madh për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Australia, Kanadaja dhe Japonia iu bashkuan Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për t’i vënë sanksione Rusisë, pasi Gjermania mori vendim për ndërprerjen e procesit të miratimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia do t’i përkrahë pretendimet territoriale të republikave të vetëshpallura në Luhansk dhe Donetsk, duke i rritur në masë dramatike gjasat për një luftë më të madhe në të ardhmen e afërt.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë shkaku i “fillimit” të pushtimit të Ukrainës, por shtoi se ende ka kohë për ta shmangur luftën.

(Kosova Sot Online)