Presidenca: Rusia dhe Serbia target të ardhshëm e kanë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor

  • G.G /
  • 23 February 2022 - 13:14
Presidenca: Rusia dhe Serbia target të ardhshëm e kanë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor

Shefi i Shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin pritet që gjatë javës të jetë për vizitë në Beograd, ndërsa lidhur me këtë kanë reaguar nga Presidenca e Kosovës.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, tha për Telegrafin se tendencat e Rusisë për destabilizim të rajonit, duke e përdorur Serbinë si aleate, janë të kamotshme.

“Kriza në Ukrainë, padyshim se mund të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor. Tendencat e Rusisë për destabilizim të rajonit, duke e përdorur Serbinë si aleate, janë të kamotshme. Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunim politiko-ushtarak, i cili është në shërbim të synimeve hegjemoniste të tyre dhe paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, tha ai.

Sipas tij, bota demokratike duhet me vendosmëri t`i përgjigjet Putinit dhe satelitëve të tij sepse me veprimet prej agresori, Rusia nuk e kërcënon vetëm atë rajon, sfida bie mbi gjithë Evropën, ndaj duhet unitet dhe vendosmëri kundrejt tendencave të Rusisë dhe Serbisë.

“Kosova mbështet Ukrainën dhe është kundër agresionit të Rusisë”, u shpreh Kupina.

Sipas tij, kjo vizitë dhe deklaratat e Vuqiçit dëshmojnë së Rusia dhe Serbia target të ardhshëm e kanë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

(Kosova Sot Online)