Situata në Ukrainë, sonte mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Kosovë

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 14:16
Situata në Ukrainë, sonte mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Kosovë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Kosovës do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me situatën e përshkallëzuar në Ukrainë, ku Rusia i ka futur forcat e saj në lindje të shtetit fqinj.

Lajmin e ka dhënë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencën e Kosovës.

“Sonte në mbrëmje mbahet takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, ka thënë ai.

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, në seancën e djeshme të Kuvendit ka kërkuar që Kosova ta thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Ukrainë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nuk e di nëse është mbledh”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar dje duke thënë se Kosova qëndron me Ukrainën dhe se bota duhet t’i përgjigjet Putinit me vendosmëri.

“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të drejtpërdrejtë të Rusisë. Putini po bën edhe një herë luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive në gjithë Evropën për shumë vjet. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë mbajtur edhe në shtete tjera, pas vendimit të Rusisë që nisi t’i fusë forcat e saj në Donetsk dhe Luhansk, dy rajonet në Ukrainën lindore, të cilat paraprakisht presidenti rus Vladimir Putin i njohu si të pavarura.

Veprimi i fundit i Rusisë nxiti reagimin e mbarë botës. Edhe Shqipëria qe ndër vendet e para që reagoi pas situatës së tensionuar si kurrë më parë.

SHBA sheh përgatitje për një operacion të mundshëm zgjerimi nga ana e Rusisë, duke përfshirë ngarkimin e anijeve amfibe dhe pajisje ngarkimi për njësitë ajrore.

(Kosova Sot Online)