Vendos gjykata: Paraburgim ndaj 16 të arrestuarve në Pejë

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 09:32
Vendos gjykata: Paraburgim ndaj 16 të arrestuarve në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve K.K, I.C, S.D, B.M, D.P, F.ZH, T.A, A.G, P.K, V.K,  A.B, L.E, SH.M, O.L, S.J dhe A.K.

Pas një hetimi disa mujor, dy ditë më parë Prokuroria Themelore e Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës kanë kontrolluar 21 lokacione në regjionin e Pejës me ç’rast janë prangosur 16 persona.

“Nga ky operacion në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 12 armë zjarri, 544 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 45.700 euro para kesh, 15 telefona celular, 10 automjete dhe dokumente të ndryshme. Gjithashtu me urdhëresë të prokurorisë është bërë ngrirja e përkohshme e 102 parcelave të tokës përfshi tokë bujqësore, objekte afarizmi dhe banimi”, është thënë në raportin e djeshëm të PK-së.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë bëhet fjalë për vepra të rënda penale, ku për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 të KPK-së është paraparë dënimi e burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet derisa për vepër penale detyrimi nga neni 328 par.2 të KPK-së, është paraparë dënimi e burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet gjithashtu, duke i pas parasysh karakteristikat personale të pandehurve, sjelljen e tyre të mëparshme si dhe faktit se janë identifikuar viktima të tjera të veprave penale të kryera nga të pandehurit dhe janë duke u grumbulluar prova dhe dëshmi të tjera brenda dhe jashtë vendit, të gjitha këto rrethana janë të mjaftueshme për të besuar se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ose nën çfarëdo mase tjetër më të butë, ekziston rreziku i lartë se në çfarëdo mënyre do të fshihen dhe do t’iu shmangen organeve të ndjekjes, do të ndikojnë në viktimat e rastit, do të shkatërrojnë provat, të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre apo edhe të përfundojnë veprat për të cilat janë kërcënuar apo do t’i përsërisin veprat e njëjta penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

(Kosova Sot Online)